Shqipëria është e detyruar të importojë energji elektrike në stinën e verës, kur prodhimi nga hidrocentralet është i ulët. Edhe në të shkuarën kjo ka krijuar kosto të mëdha për kompanitë publike të energjisë, por muaji Gusht po vendos një rekord historik për faturën më të kripur.

Në 5 ankandet për sigurimin e sasisë së nevojshme për furnizimin për dy javët e para të muajit, vlera e blerjeve të KESH ka arritur në mbi 50 milionë euro. Në një kohë kur shumë shtete janë në treg për të importuar, çmimet e ofruara variojnë deri në 500 euro për megavat/orë, apo 7-fish më shtrenjtë se një vit më parë.

Situata e detyroi Korporatën Elektroenergjetike të anulojë procedurën e së premtes për të siguruar energji për periudhën 15-21 Gusht. Megjithatë, KESH do të jetë i detyruar të sigurojë gjithsesi një sasi të konsiderueshme energjie për pjesën e mbetur të muajit. Kjo pasi rezerva në kaskadën e Drinit është nën mesataren historike dhe niveli i liqeneve duhet të jetë në gatishmëri të presë çdo të papritur në tregje deri në nisjen e stinës së reshjeve.

Me bursat që nuk shfaqin asnjë shenjë uljeje të rëndësishme të çmimeve, fatura totale për këtë muaj mund të kapërcejë sipas gjasave edhe 100 milionë euro.

Qeveria ka vendosur në dispozicion për sektorin energjetik 20 miliardë lekë në formën e mbështetjes buxhetore dhe 8 miliardë lekë në formën e huasë. Ndërsa KESH ka kontraktuar 2 anije që funksionojnë si termocentrale lundruese për të prodhuar energji. Po ashtu, plani për menaxhimin e krizës përfshin bashkëpunimin e mundshëm për shkëmbim energjie me KEK-un e Kosovës, ndërsa marrëveshje paraprake janë ranë dakord edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Një tjetër nismë e propozuar pak kohë më parë nga kryeministri është edhe ajo e tarifimit me çmim më të shtrenjtë për familjet shqiptare që konsumojnë më shumë se fasha që pritet të përcaktohet në një moment të dytë.