Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona, një burrë dhe një grua, të cilëve u ka gjetur armë dhe municione në një makinë të blinduar, duke ngritur dyshime se është shmangur një ngjarje e mundshme kriminale.

Në pranga përfunduan: N. Sh., 28 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”; dhe F. B., 34 vjeçe, banuese në Kurbin, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

“Shërbimet e Policisë, pasi kanë lokalizuar automjetin tip “Toyota”, të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në automjet, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap. Gjatë tentativës për t’u larguar shtetasja F. B. (drejtuesja e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë. Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç”, tha Policia.

“Në vijim të operacionit, është ushtruar kontroll në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas dhe është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së shtetases F. B., janë gjetur 2 radio marrëse – dhënëse, si ato të Policisë. Në momentin e kapjes, shtetasi N. Sh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xh. P. Në përfundim të veprimeve hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automatik, 2 krehra me fishekë në to, 2 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.

Policia thotë se bazuar në hetimet e deritanishme lindin dyshime se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin.