Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra oficeren e Policisë së Elbasanit, nënkomisaren Anisa Kostani, e cila u përfshi në polemika të shumta pas një postimi në Instagram,.

Në rrjetet sociale, Kostani ofendonte deri në kërcënim mediat, që kritikonin gjendjen e sigurisë publike në atë qytet pas episodeve të shumta, ku u përfshin disa vrasje.

Sipas reagimit të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, duke shtuar gjithsesi se “mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit”, duke i kërkua rmediave mirëkuptimin e tyre që “raste sporadike të mos cenojnë marrëdhëniet korrekte mes gazetarëve dhe Policisë së Shtetit”.

Në postimin e saj, Kostani ofendonte moralin e gazetarëve por edhe qytetarinë e popullsisë së Elbasanit, që sipas saj duhet “të ndërgjegjësohet, arsimohet dhe kulturohet qysh në vogëli, kjo nuk është punë e e policisë”.

Kostani ka qenë muajt e fundit në qendër të vëmendjes së mediave për imazhin e saj të shpalosur në rrjetet sociale, si dhe kuriozitete që përfshijnë një kafshë shtëpiake të veçantë, një gjarpër, që ajo mban në shtëpi.