Aubameyang ka thyer heshtjen pas grabitjes së dhunshme që pësoi në agimin e së hënës në shtëpinë e tij, ku ndodhej me familjen. Sulmuesi i Barcelonës ka rrëfyer ngjarjet, ka treguar ndjenjat e tij dhe ka falenderuar për sinjalet e shumta të dashurisë që ka marrë këto ditë.

“Disa frikacakë të dhunshëm hynë në shtëpinë tonë dhe kërcënuan familjen dhe fëmijët e mi vetëm për të vjedhur disa gjëra. Ata më lënduan nofullën, por unë do të shërohem brenda një kohe.

Faleminderit Zotit që askush tjetër nuk u lëndua fizikisht, – shkroi Aubameyang në rrjetet sociale. – Ndjenja se nuk jemi më të sigurt as në shtëpinë tonë është e vështirë për t’u kuptuar dhe përshkruar.

Sidoqoftë, si familje do ta kalojmë këtë dhe do të qëndrojmë më të fortë se kurrë. Faleminderit për gjithë mbështetjen, me të vërtetë do të thotë shumë për ne” .

Gabonezi nuk specifikon dëmet që ka pësuar si pasojë e sulmit, por orët e fundit ka dalë se ka një nofull të thyer, që do ta mbajë jashtë fushave për rreth një muaj.

Aubameyang, përveç kësaj, është një nga emrat që mund të ndryshojë klub në minutat e fundit të merkatos së kësaj vere. Klubi katalanas po negocion kalimin e tij te Chelsea.