Sesionet politike në Shqipëri nuk dallojnë nga njëri-tjetri kur vjen fjala tek akuzat reciproke për korrupsion. Por ndryshe nga e shkuara, krerët e tre partive politike kryesore, tashmë janë të paditur në SPAK, institucion i cili duhet të japë përgjigje nëse këto alternativa qeverisëse janë të pastra apo jo.

Në protokollin e Prokurorisë së Posaçme janë depozituar padi të njëpasnjëshme ku opozita akuzon mazhorancën dhe anasjelltas. Kësisoj, kreu i qeverisë, Edi Rama është kallëzuar penalisht nga rivalët, për çështjen e inceneratorëve të cilën opozitarët e cilësojnë si aferën e shekullit. 

Diçka e tillë ka ndodhur edhe për ata që konsiderohen si alternativa e mazhorancës, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion njoftoi ditët e nxehta të gushtit se kreu i Partisë së Lirisë është nën hetim, duke i dërguar disa institucioneve kërkesa për informacion. Një situatë e ngjashme është edhe për kryedemokratin Sali Berisha, i cili është paditur nga rivalët socialistë. 

Gjendur përballë këtyre padive, lind pyetja se sa e pastër është politika shqiptare. “Prioriteti kryesor është lufta ndaj korrupsionit dhe elementet që lidhen me standardin e shtetit të së drejtës. Ne do të duhet të presim hetime të thelluara, duhet të presim hapa konkretë, duhet të presim politikanë që hetohen dhe përballen me drejtësinë. Jo për deklarata politike, jo për çështje protokollare, jo për çështje të gjendjes civile, por për korrupsion galopant që ata kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në Shqipëri. Për sa kohë kjo nuk ndodh, e gjithë retorika është thjesht një konsum ditor pa vlerë për qytetarët”, tha politologu Afrim Krasniqi.

Paditë përkojnë me një vit zgjedhor, gjatë të cilit duket se do të ecin paralel hetimet dhe fushatat elektorale.