Beteja ligjore mes Angelina Jolie dhe Brad Pitt duket se nuk ka fund. Ata fillimisht u përplasën për kujdestarinë e pesë fëmijëve të tyre të mitur dhe tani po luftojnë ligjërisht për “Château Miraval”, që blenë së bashku në jug të Francës më 2008, e cila përfshin një vilë dhe një vresht.

Një kompani e krijuar nga aktorja ngriti një padi për të kërkuar 250 milionë euro nga ish-burri i saj, duke pretenduar se ai u bashkua me atë që e quan “një bandë miqsh” për të orkestruar një fushatë që synonte kontrollin e kantinës dhe se ajo nuk pa asnjë qindarkë nga fitimet e saj.

Dokumentet e gjykatës të depozituara të martën në Los Angeles e llogarisin investimin financiar të çiftit të atëhershëm në dhjetëra milionë dollarë për të përmirësuar pronën prej 1300 hektarësh, pas blerjes së saj.

Sipas Angelina, ish-burri harxhoi shumë para për ato që ajo i përkufizon si projekte të panevojshme, siç është ndërtimi i një pishine që kushtoi më shumë se një milion dollarë.

Për më tepër, padia pretendon se Brad u përpoq të përdorte aksionet e mëdha financiare të Angelina në kompaninë që kontrollon vreshtat për ta detyruar atë të nënshkruante një “klauzolë heshtjeje”, që do ta pengonte atë të diskutonte rrethanat që çuan në kërkesën e saj për divorc.

Anxhelina siguron se ish-i i saj po e dënon për kundërshtimet që ka paraqitur në gjyq në fronte të ndryshme, qoftë për orarin e vizitës së fëmijëve të saj, qoftë për shpërndarjen e pasurive të tyre të përbashkëta, përfshirë edhe pronën në fjalë.

Muajin e kaluar u zbulua se ish-çifti pati një diskutim të fortë në shtator 2016, gjatë një fluturimi me avion privat, situatë në të cilën FBI-ja duhej të vinte rregull, por dëshmia e ashpër e aktores qarkulloi në të gjitha mediat.

Angelina përmendi se Pitt e kapi nga koka, e tundi dhe ajo goditi çatinë e avionit afërsisht katër herë, ndërsa po debatonin për një nga fëmijët e tyre. Aktorja gjithashtu pohoi se kishte tension mes saj dhe Pitt, duke pretenduar se veprimet bënë që të ndihej “si një peng”, ndërsa ata ishin në aeroplan.

Por kjo nuk ishte e gjitha. Jolie tha se fëmijët e saj e pyetën “a je mirë mami”, gjë për të cilën aktori iu përgjigj: “Jo, nuk është mirë, po e prish këtë familje, është e çmendur”. Njëri nga djemtë e tyre i bërtiti babait të tij: “Nuk është ajo, je ti problemi”. Pitt vrapoi drejt djalit, por Jolie e ndaloi, duke pësuar lëndime në shpinë dhe bërryl.