Qeveritë, partitë politike dhe individë me pozita të veçanta kanë shpenzuar më shumë se 3.6 milionë dollarë në 34 kontrata lobimi në 10 vitet e fundit vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Referuar të dhënave nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë pjesa më e madhe e këtyre kontratave janë lidhur në vitet 2011; 2012; 2019 e 2020, periudha e përkojnë me vite zgjedhore apo kriza politike në vendin tonë.

E njëjta gjë mund të konstatohet edhe për vlerën e shpenzuar, me mbi 1.2 milionë dollarë në vitin 2011, 641 mijë në 2012-ën dhe 248 mijë e 798 mijë, respektivisht për vitet 2016 dhe 2017.

Gjysma e këtyre shpenzimeve janë kryer në emër të Qeverisë së Shqipërisë, në kohën kur vendi drejtohej nga demokratët. Lista vijon me Partinë Demokratike, Lëvizjen Socialiste për integrim, pagëzuar tashmë si Partia e Lirisë dhe në fund Partia Socialiste.

Por këto miliona janë vetëm një pjesë e shpenzimeve në kontrata lobimi. Ndaj sipas ekspertëve, është urgjente ngritja e mekanizmave kontrollues për të mbikëqyrur milionat e qeverive, partive e individëve në kontrata milionëshe për lobim.

Kontratat e lobimit janë kryesisht të përqendruara në përmirësimin e imazhit të partive politike e jo vetëm, por edhe për mundësinë që të takohen me zyrtarë të ndryshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera me ndikim.

Ndaj dhe momentet me kryesore qe kane shkaktuar jo vetëm debat publik por edhe probleme me drejtësinë amerikane janë lobimet për foto me presidentët amerikanë të Edi Ramës në vitin 2012 dhe Lulzim Bashës me Donald Trump.