19-vjeçari i vrarë një natë më parë në Shkodër, Erion Xhenja, dyshohet të jetë viktima e radhës mes rivalitetit prej vitesh mes fiseve Bajri dhe Lici. Ai banonte vetëm pak metra nga banesa ku u vra, disa ditë më parë, edhe Ismet Çekorja, në lagjen Kiras.

19-vjeçari merrej me kuaj dhe burime bëjnë me dije se i shërbente fermës dhe kuajve të Asmer Bilalit, një emër shumë i njohur në botën e krimit në Shkodër. Motori i përdorur në vrasje u gjet i djegur në afërsi të banesë së familjes Lici në lagjen “Guerile”, Kiras.

Krimi që tronditi qytetin ndodhi mbrëmjen e së dielës në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku”, rreth orës 20:10. Dëshmitarë okularë janë shprehur se viktima ishte i ulur në lokal kur në drejtim të tij kanë ardhur dy persona me motoçikletë, duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të tij. Policia raporton se viktima gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa në vendngjarje të vetmet prova materiale ishin rreth 30 gëzhoja, që tregon për ashpërsinë e këtij sulmi me armë.

Pak minuta më pas, policia ka gjetur të djegur motorin me të cilin ishin larguar autorët, si dhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në këtë vrasje. Policia e Shkodrës ende nuk ka një pistë mbi këtë ngjarje, ku ashpërsia e krimit dhe mosha e re e viktimës duket se kanë lënë pa një pistë grupin e hetimit.