Brad Pitt bëri debutimin e tij si skulptor, në një ekspozitë në grup në Muzeun e Artit Sara Hildén në Tampere, Finlandë.

Punimet e aktorit janë ekspozuar së bashku me ato të muzikantit Nick Cave dhe artistit Thomas Houseago për ekspozitën Ne, e hapur deri më 15 janar 2023.

Brad Pitt ka shfaqur gjithsej nëntë vepra, të prezantuara për herë të parë para publikut.

Punimet e tij u ndikuan nga përvojat e vetë aktorit në setet e filmave të tij.

Mes krijimeve ka një skulpturë në formën e një shtëpie silikoni të goditur nga municione të kalibrave të ndryshëm dhe gjithashtu një panel suvaje të titulluar “Aiming At You I Saw Me But It Was Too Late This Time” në 2020 që përshkruan skenën e një zjarrfikjeje.

Aktori i Hollivudit thuhet se filloi t’i afrohej botës së artit dhe në veçanti qeramikës pas divorcit nga Angelina Jolie, duke kaluar deri në 15 orë në ditë në studion e Houseago në Los Angeles në 2017.

Vetë Brad Pitt, në hapjen e ekspozitës, komentoi kthesën artistike të karrierës së tij:

“Për mua ka të bëjë me vetë-reflektim… Është diçka e lindur nga ajo që unë e quaj një “inventar radikal i vetvetes”. Unë kam qenë vërtet dhe brutalisht i sinqertë me veten time dhe kam marrë parasysh ata që mund të kem lënduar në të kaluarën dhe kohët kur kam gabuar”.

Pitt tha gjithashtu se ai e shikonte kohën e kaluar duke punuar me qeramikë jo si një art, por si një “lloj shumë të qetë të sportit solo”.