Një situatë e pamenduar më herët është regjistruar në kufijtë e Rusisë, pas urdhrit të presidentit Vladimir Putin për të mobilizuar pjesërisht ushtrinë, për vijimin e mëtejshëm të luftës në Ukrainë.

Mijëra njerëz dhe makina kanë nisur të largohen nga vendi duke krijuar radhë të gjata në pikat kufitare për të shmangur thirrjen nën armë.

Në kufirin me Gjeorgjinë, janë krijuar radhë automjetesh. Disa kalojnë në vendin fqinj, duke përdorur biçikleta për të anashkaluar vonesat dhe ndalimin nga autoritet.

Dëshmi të shumta vijnë rreth situatës së re të krijuar, ku raportohet se gratë janë gati t’u thyejnë gjymtyrët burrave të tyre për t’i deklaruar të paaftë për të luftuar.

Burrave u është lënë vetëm 4 orë kohë të paraqiten në qendrën e rekrutimit, ndërkohë që Kremlini i quan të ekzagjeruar lajmet për këtë “eksod’.

Gjeorgjia është një nga vendet e pakta fqinje, ku rusët mund të hyjnë pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë. Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1300 km me Rusinë, kërkon një vizë për udhëtim.

Mediat turke kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve të biletave me një drejtim, ndërsa fluturimet e mbetura drejt destinacioneve pa viza, mund të kushtojnë mijëra euro.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë sinjalizoi të enjten se rusët që ikin do të ishin të mirëpritur në vendin e saj. Nancy Faeser tha se dezertorët e kërcënuar nga represioni i rëndë do të merrnin mbrojtje rast pas rasti, pas kontrolleve të sigurisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje rusëve që t’i rezistojnë mobilizimit gjatë fjalimit të tij. Duke iu referuar vdekjeve ruse në luftë, ai tha: “Doni më shumë? Jo? Pastaj protestoni. Luftoni përsëri. Ikni. Ose dorëzohuni në robërinë ukrainase”.

Zyrtarët rusë këmbëngulin se thirrja kufizohet vetëm për ata që kanë kryer shërbimin ushtarak dhe nuk do të arrijnë një rekrutim të gjerë. Por brenda Rusisë, ka gjithashtu spekulime se mobilizimi ushtarak mund të jetë më i madh sesa ishte paralajmëruar zyrtarisht.