Në shikim të parë, Ami-dong duket si një fshat i zakonshëm në Korenë e Jugut. I ngritur rrëzë maleve të larta, ky fshat karakterizohet nga shtëpitë shumëngjyrëshe dhe rrugicat e ngushta. Por nga afër, vizitorët mund të dallojnë një material ndërtimi të pazakontë të ngulitur në themelet e shtëpive, mureve dhe shkallëve të pjerrëta: gurët e varreve me karaktere japoneze.

Ami-dong, i quajtur edhe “Fshati i varreve”, u ndërtua gjatë Luftës Koreane, e cila shpërtheu në vitin 1950, pasi Koreja e Veriut pushtoi atë të Jugut. Konflikti zhvendosi një numër masiv njerëzish në të gjithë Gadishullin Korean, duke përfshirë më shumë se 640 000 koreano-veriorë. Edhe nga Koreja e Jugut, shumë qytetarë ikën në jug të vendit, larg Seulit dhe frontit të luftës.

Shumë nga këta refugjatë u drejtuan për në Busan, në bregun juglindor të Koresë së Jugut – një nga dy qytetet e vetme që kurrë nuk u pushtua nga Koreja e Veriut – tjetri ishte qyteti Daegu. Busan u bë një kryeqytet i përkohshëm i kohës së luftës, me forcat e OKB-së që ndërtuan një perimetër sigurie rreth qytetit. Kjo e shndërroi Busan-in në një qytet të madh refugjatësh, që u përballën me vështirësinë e gjetjes së një vendi për të jetuar. 

Disa e gjetën zgjidhje në Ami-dong, një krematorium dhe varrezë e ndërtuar gjatë pushtimit japonez të Koresë nga viti 1910 deri në 1945. Gurët e varreve mbanin emrat, ditëlindjet dhe datat e vdekjeve të shkruara në gjuhën japoneze. Por zona e varrezave u braktis pasi pushtimi japonez përfundoi dhe kur refugjatët vërshuan pas fillimit të Luftës së Koresë, varret u çmontuan dhe gurët e tyre u përdorën për të ndërtuar fillimisht shtëpi të vogla, çka çoi në krijimin e një fshati të mirëfilltë.

Gjithsesi, Ami-dong, duket shumë ndryshe sot, pasi shumë shtëpi janë restauruar me kalimin e viteve. Por gjurmët e së kaluarës mbeten. Duke ecur nëpër fshat, gurët e varreve mund të dallohen nën pragjet e dyerve, shkallëve, si dhe në qoshet e mureve. Në oborret e disa shtëpive, ato përdoren për të mbështetur vazo me lule apo ornamente të tjera.