Bujqësia dhe prodhimi vendas janë deklaruar si prioritet në këtë moment krize dhe lufte që krijon pasiguri. Por, ky prioritet nuk përkthehet në vëmendje dhe në mbështetje me fonde.

Bujqësia është kontribuesi më i rëndësishëm në ekonomi, me pothuajse 20% të totalit ose 2,5 miliardë euro, por buxheti i Ministrisë së Bujqesisë është vetëm 110 milionë euro.

Ndërsa financimi nga shteti nuk është domethënës, edhe bankat e institucionet financiare e konsiderojnë me risk të lartë investimin në bujqësi. Kreditë për këtë segment përbëjnë vetëm 1,6 % të huave të korporatave jofinanciare private. Kjo shifër pasqyron kryesisht besimin e ulët të bankave te bujqësia.

Nga dhjetori i vitit 2019 deri në gusht 2022, stoku i kredive ka pësuar një rritje me rreth 1,6 miliardë lekë ose 14 milionë euro. Krahasuar me dhjetorin e një viti më parë, për investime në bujqësi stoku i kredive është zgjeruar me rreth 50 milionë lekë ose 430 mijë euro. 

Përfaqësuesit e mikrofinancave tregojnë se cilat janë hallkat që ndiqen për të dhënë hua në bujqësi, duke theksuar se i druhen planeve shumë optimiste të biznesit, pasi shpesh rezulton që dalin jashtë mundësive të investitorëve.

Sipas ekspertit të bujqësisë Ilir Pilku, ato biznese të cilat e kanë ndërtuar strukturën me kredi bankare duhet të mbështeten me normë interesi nga qeveria, pas dyfishimit të saj.