Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Elbasanit pasi akuzohen se shantazhuan një person nëpërmjet “Instagram”-it që të mos i publikonin lidhjen intime.

Prokuroria e Elbasanit ka bërë të ditur se ndaj 3 të arrestuarve tashmë rëndojnë akuzat për veprën penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. 

“Në datë 11.10.2022 rreth orës 10:45 pranë “Rita Park” është realizuar takimi midis viktimës E. K., dhe H.P, ku viktima i ka dorëzuar 3000 Euro shtetasit H.P. Ky person ka ardhur me mjetin e tij Taxi me targa EL 6…A. Ky veprim është dokumentuar edhe me raportet e shërbimit nga Seksioni Operacional i DVP Elbasan.

Nga ana e prokurorit të çështjes është vendosur në përgjim numri telefonik, si dhe numrat e tjerë të cilat rezultuan në dinamikë.

Pas dorëzimit, taksia është nisur për në Tiranë, e ndjekur nga forcat e policisë, dhe pasi ka pikasur policinë ka ndërruar rrugë. Më pas, është bërë nga policia gjyqësore arrestimi i shtetasve H.P., S.H. dhe Xh.Gj, dhe në gjendje të lirë është ndjekur shtetasja nën hetim A.H.”, njofton prokuroria e Elbasanit.