Në vite elektorale, buxheti për investime publike është një nga zërat që rriten gjithmonë nga partia në pushtet. 2023-shi nuk bën përjashtim, madje shënon një rekord për shpenzimet kapitale prej 116.2 miliardë lekësh, apo 1 miliard eurosh, krahasuar me 92.4 miliardë lekë këtë vit. Këtu nuk përfshihet zëri i programit të rindërtimit, drejt përfundimit vitin e ardhshëm me 5 miliardë lekë, apo 42 milionë euro fond të planifikuar.

Krahas projekteve në vazhdim, fondi i investimeve publike këtë vit do të përfshijë nisjen e bypass-it të Tiranës, hekurudhës Shkodër-Hani i Hotit, një sërë projektesh për ujësjellës-kanalizime, rikonstruksionin e disa shkollave të mesme profesionale, rikonstruksionin e disa spitaleve dhe qendrave shëndetësore.

Mbështetje të veçantë vitin tjetër do të marrë pajisja me mjete dhe makineri, si helikopterë blackhawk për ushtrinë, anije patrulluese, dronë të armatosur dhe armatime.

Ndërkohë një pjesë e mirë e investimeve do të vijnë me financimin e privatit, përmes 7 kontratave koncesionare PPP të planifikuara për 2023-in. Tre janë pjesë e korridorit blu: rruga Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier; dy janë për shkolla të reja në Tiranë, një është koncesioni i infrastrukturës së çelësave publikë, pra certifikatave elektronike për fiskalizimin dhe i fundit është për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.