Kreu i PD-së Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për udhëtimet e tij të bëra publike një ditë më parë. Në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, Berisha tha se as ish-presidenti i SHBA-së nuk ka kryer kaq udhëtime në 8 vite sa Rama. Duke e cilësuar si një superskandal, Berisha i kërkoi Ramës të japë dorëheqjen dhe të mos presë zemërimin qytetar.

Rama ka humbur çdo ndjeshmëri e lidhje me këtë vend. Si asnjë kryeministër tjetër i Europës dhe botës i ke lejuar vetes 137 udhëtime me avion taksi. Në 8 vitet mandat, presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush ka udhëtuar me Air Force One 74 herë, gjysmën e Edi Ramës dhe ka vizituar 43 vende të botës. Është një çmenduri që tejkalon çdo imagjinatë. Kancelari austriak, një vend i pasur nuk lejon veten të udhëtojë me charter, por me linjë tregtare Edi Rama me 137 udhëtimet e tij vajtje-ardhje me charter, 54 i ka kryer para themelimit të Air Albania. Pra ka marrë nga kompanitë e charter-ave avionë taksi në dispozicion të zotërisë së tij. Të gjitha fluturimet e tjera, Rama i ka bërë përsëri me avionë taksi me Ismailin e apasionuar që flet sikur i ka mbirë në kopshtin e Surellit. Ismaili është një aeroplan i Air Albania, dhuratë e presidentit Erdogan. Karburanti, parkingu, rrogat, stjuardesat të gjitha që shkojnë 150 milionë euro që i paguajnë baballarët e atyre që nisen me gomone dhe kalojnë Lamanshin duke rrezikuar jetën e tyre se nuk ka mjet jetese në Shqipëri. Ndaj këtij superskandali reagoi me gjuhën karakteristike vetëm për të. Shqiptarët nuk mund t’ia falin kurrë këtë abuzim që shkon në 22 milionë euro. Avionë në dispozicion kanë emirë dhe sheikë. Këtu është përdorur avioni për wekeend e qoka. Rama të japë dorëheqjen dhe mos të presë ta dorëheqin qytetarët e zemëruar shqiptarë”.

Në këto kushte, Berisha theksoi se vetëm protestat masive janë zgjidhja më emergjente.

“Vetëm protestat masive është zgjidhja më emergjente. Shqipëria po zien nga zemërimi dhe revolta e qytetarëve të saj, e bizneseve të vogla, të cilët presin në ankth të madh të nesërmen, për të shkak të lukunisë së taksidarëve që është derdhur mbi ta, po zien në çdo familje shqiptare, për shkak të çmimeve të papërballueshme të produkteve bazë të jetesës. Po zien tek çdo i ri, që sheh tek Edi Rama një shpresëvrasës dhe ëndërrvrasës. Po zien te çdo pensionist që qan me lotët e ftohta e mjerimit sepse nuk siguron kafshatën dhe nuk blen dot ilaçet me pensionin e tij. Po zien te qindra mijëra punonjës në këtë vend, që me pagën mizerabël që marrin, nuk përballojnë dot as gjysmën e muajit”.