Muri i sigurisë ka rënë. Pengesa e fundit që ndante në mënyrë të ngurtë konceptin e luftës nga përdorimi i arsenaleve bërthamore, duke mbajtur të dallueshëm skenarët e një konflikti tradicional dhe ata të “Armagedon”, thënë ndryshe skenarët apokaliptikë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës prezantuan së fundmi Strategjinë e Re të Sigurisë, duke revolucionarizuar idenë e parandalimit dhe ndryshuar doktrinën e armëve nukleare.

Dokumenti i ri strategjik i presidentit Joe Biden nuk përjashton mundësinë që SHBA të përdorë e para bombën bërthamore. Siç thuhet, ky është “një revolucion për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja nga Kina dhe Rusia”.

Administrata Biden ka publikuar rishikimin e saj të Qëndrimit Bërthamor për vitin 2022, me grupet anti-bërthamore që paralajmërojnë se dokumenti do të bëjë pak për të parandaluar kërcënimin e një lufte katastrofike.

 Dokumenti propozon shkurtimin e disa programeve. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë po ecën përpara me “planin e modernizimit” që synon përmirësimin e arsenalit të SHBA-së, që aktualisht vlerësohet në rreth 5,400 koka bërthamore.

Kjo vjen në një kohë kur kundërshtarët e drejtpërdrejtë kanë shtuar retorikën për një luftë të madhe. Presidenti rus, Vladimir Putin, pasi vrojtoi testet bërthamore disa ditë më parë, paralajmëroi se rreziku I një lufte botërore është shumë i madh.

Më vonë shefi I Kremlinit u bë dhe autor I një shakaje pa kripë. Gjatë një eventi në Rusi, Putin u pyet lidhur me kërcënimin që kishte bërë katër vite më parë se “do t’i dërgonte të gjithë në parajsë”, duke u përgjigjur me një heshtje që shokojë të pranishmit në sallë. Putin më pas u përgjigj se këtë e bëri qëllimisht, por që efektin e arriti, atë të frikësimit të njerëzve.