Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka paralajmëruar në mënyrë direkte homologun e tij rus, Vladimir Putin, që të mos përdorë armë bërthamore në Ukrainë.

Xi i kërkoi gjithashtu edhe Kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili vizitoi Pekinin, që të nxisë bisedimet e paqes, duke thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet “të krijojë kushtet për bisedimet e paqes dhe të kundërshtojë përdorimin e armëve bërthamore”.

Ndërsa Scholz theksoi pas takimit me Presidentin e Kinës se “kërcënimet bërthamore janë të papërgjegjshme dhe provokuese”.

Edhe pse Xi Jinping nuk e kritikoi direkt Putinin për luftën në Ukrainë dhe as i kërkoi atij që të tërhiqte trupat, komentet e tij janë deri tani qortimi më i rëndë që i ka bërë Kremlinit.

Në ditët e para të luftës, Kina kritikonte ekspansionizmin e NATO-s, mendësinë e “Luftës së ftohtë” të Perëndimit dhe dënonte gazetarët që përdornin fjalët “luftë” apo “pushtim”.