Miliona amerikanë votojnë sot në zgjedhjet e mesit të mandatit, që do të përcaktojnë balancën e pushtetit në Kongres. Në lojë janë të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 435, si dhe për 35 nga 100 vendet në Senat. Presidenti demokrat, Joe Biden, dhe paraardhësi i tij republikan, Donald Trump bënë përpjekjet e fundit për të bindur votuesit në tubime rivale.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli nga Marylindi në mbështetje të kandidatit Wes Moore, që pritet të bëjë histori si guvernatori i tretë me ngjyrë i zgjedhur ndonjëherë në SHBA.

“Sot përballemi me një moment vendimtar; një nga ato që na vjen çdo 3 ose 4 gjenerata. Ne e dimë mirë se demokracia është në rrezik dhe e dimë se ky është momenti për ta mbrojtur, për të ruajtur, për ta zgjedhur atë”, tha Biden

Trump e mbajti tubimin përmbyllës në Ohio në krah të kandidatit republikan për senat, JD Vance. Ish- presidenti, i cili ka lënë të kuptohet se mund të garojë për një rikthim në Shtëpinë e Bardhë tha se do të bëjë një njoftim shumë të rëndësishëm në rezidencën e tij në Mar A Lago më 15 nëntor.

“Këtë vit do të rimarrim në duar dhomën e përfaqësuesve. Do të rimarrim senatin dhe Amerikën. Nëse doni të ndalni shkatërrimin e vendit tonë, atëherë duhet të votoni republikanët”, u shpreh Trump.

Zgjedhjet e mesit të mandatit shihen shpesh si referendum për lidershipin e presidentit, dhe në projeksionet do të rezultojnë të sakta, demokratët do të humbasin kontrollin e dhomës së përfaqësuesve. Kjo do të pengonte në mënyrë të konsiderueshme aftësinë e Biden për të kaluar ligjet në kongres.

Sa i përket senatit, sondazhet sugjerojnë se gara do të jetë e ngushtë. Edhe pse përmbushi premtimet për uljen e çmimit të ilaçeve, zhvillimin e energjisë së pastër dhe rindërtimin e infrastrukturës, Biden ka përjetuar rritje të popullaritetit pas inflacionit më të rëndë në 4 dekada, emigracionit rekord nga Meksika, dhe rritjes së kriminalitetit.

Fushata zgjedhore u zhvillua në një klimë të tensionuar dhe paralajmërimesh për dhunë nga mbështetësit ekstremistë të Trump, të përforcuara nga sulmi kundër bashkëshortit të Pelosit.

Shumë kandidatë republikanë kanë vënë në dyshim pranimin e rezultatet, çka ka nxitur demokratët të flasin për minim të demokracisë. Të paktën 41 milionë votues e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre, por mund të duhen ditë ose javë për të mësuar rezultatin përfundimtar.