E ashtuquajtura “dallga e kuqe” duket se është shmangur në zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara. Republikanët janë në avantazh në garën për Dhomën e Përfaqësuesve, por në betejën e ngushtë për senatin demokratët kanë përparësitë lehtë. Ndërsa mbeten ende për t’u shpallur rezultatet në 5 shtete, demokratët e presidentit amerikan, Joe Biden, kanë siguruar deri më tani 48 nga 100 vendet e Dhomës së Lartë të Kongresit, ndërsa republikanët kanë fituar 47 vende. Vendimtare për garën në senat konsiderohej gara në Pensilvani, ku u shpall fitues kandidati demokrat John Fetterman, i cili në maj pësoi një ishemi. Kjo rrit mundësitë që kampi blu të ruajë kontrollin në senat, megjithatë rezultati qëndron tani i varur te shtetet e Xhorxhias, Arizonës dhe Nevadës.

“E nisëm këtë fushatë gati 2 vite më parë. Ne kishim sloganin tonë: “Çdo konte, çdo votë”. Dhe pikërisht kjo ndodhi. Ne i bllokuam ata. Nuk e kisha menduar kurrë se do të kthenim në blu edhe kontetë e kuqe”, tha John Fetterman.

Sakaq, siç kishin parashikuar sondazhet, republikanët janë në rrugën e fitores në Dhomën e Përfaqësuesve, ku deri më tani kanë siguruar rreth 20 vende më shumë ndaj demokratëve. Në lojë janë të 435-a vendet e dhomës së ulët që kontrollohej nga demokratët që prej vitit 2018.

“Kur të zgjoheni nesër ne do të jemi në shumicë, ndërsa Nancy Pelosi në pakicë. Populli amerikan është gati për një shumicë që do të ofrojë një drejtim të ri, që rikthen Amerikën në shina”, u shpreh lideri i pakicës republikane në senat Kevin Mccarthy.

Numërimi i votave në shtetet perëndimore filloi më vonë dhe për rezultatet përfundimtare do të duhet pritur. Në një nga garat kryesore, atë për guvernatorin e Floridas, fitoi me lehtësi rizgjedhjen Guvernatori republikan, Ron DeSantis.

Disa republikanë po e nxisin DeSantis të kandidojë përballë ish-presidentit Donald Trump për nominimin republikan në presidencialet e vitit 2024 dhe ai nuk e ka përjashtuar mundësinë. Në qendrat e votimit në mbarë vendin nuk u raportuan probleme të mëdha me fletët e votimit, me radhë të gjata pritjeje apo me frikësim të votuesve, megjithëse pati incidente të izoluara në disa pika.