Të paguash me kartë është tashmë një rutinë për konsumatorët në ekonomitë e zhvilluara. Mjafton në shkosh në Itali dhe aty mund të paguash biletën e trenit, kafenë në bar apo berberin në mënyrë elektronike.

Në Shqipëri jemi ende shumë larg këtij realiteti, megjithëse vitet e fundit po dekurajohen pagesat “cash”. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë gjatë 2021-shit, u regjistruan mesatarisht 12.5 pagesa për frymë në mënyrë elektrike, ndërsa këtë vit ky tregues pritet të arrijë në 16.

 “Tashmë mund të themi që pagesat me kartë dhe ato homebanking gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve, ndërkohë që dhe nga pikëpamja e përfshirjes financiare zhvillimet duken mjaft inkurajuese. Konkretisht: volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit; si dhe është shënuar një rritjen e konsiderueshme me 78% e numrit të terminaleve POS gjatë së njëjtës periudhe. Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.

E pranishme në mbledhjen e nëntë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zbuloi edhe disa nga përpjekjet e qeverisë që pritet të vihen në zbatim së afërmi me nxitjen e pagesave me kartë.

Nga mbledhja e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

“Dua të ndalem në emetimin e kartës sociale, që synon që të gjitha pagesat me karakter social të paguhen me këtë kartë”, zbuloi ministrja.  

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore aktualisht janë rreth 1.5 milionë shqiptarë, apo thënë ndryshe 69 për qind e popullatës në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare, ndërsa parashikohet që brenda vitit të ardhshëm ky tregues të arrijë në 70 për qind.