Fokusi i buxhetit 2023 është përballimi i inflacionit të luftës dhe forcimi i mbrojtjes së sistemeve digjitale nga sulmet kibernetike. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në ditën e dytë të diskutimeve për buxhetin në Kuvend, duke renditur edhe rritjen e pagës për çdo kategori të Policisë së Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese.

“Plot 15% rritje për rreth 74% të trupës së Policisë së Shtetit, ku përfshihen punonjësit e nivelit bazë me gradat Inspektor, Inspektor i nivelit të parë, Inspektor i nivelit të dytë. Ndërsa për gradat Komisar e Nënkomisar, ku janë rreth 20% e trupës të punonjësve me grada, rritja e pagave do të jetë në nivelin 7%. Rritje pagash me 7% ka për 1300 punonjësit e Gardës së Republikës, po kaq edhe për zjarrfikësit. Ndërsa për punonjësit e AMP, rritja është mesatarisht në masën 13% për 86% të punonjësve”.

Ndërsa fondi për investimet në teknologji për sistemet digjitale dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike, është rritur me 7.6 herë.

“Dua të theksoj kapërcimin kolosal që ne kemi bërë në buxhetin e vitit 2023, duke rritur me 7.6 herë investimet në teknologji dhe sigurinë kibernetike në Policinë e Shtetit. Nëse në vitin 2022 investimet në fushën e teknologjisë në Policinë e Shtetit, me fonde të brendshme, kanë qenë 72 milionë lekë, në vitin 2023 ne kemi parashikuar të investojmë plot 547 milionë lekë. Pjesa më e madhe e investimeve shkon pikërisht në rritjen e sigurisë kibernetike për të përballuar pasojat e sulmit kibernetik dhe për të forcuar sigurinë e sistemeve digjitale të ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit. Po për sigurinë kibernetike, krahas buxhetit të Ministisë së Brendshme, do të financojë edhe AKSHI 278 milionë lekë në Policinë e Shtetit”, deklaroi ministri Çuçi.