Sigurisht që në kushte të kontrolluara, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve Rrugore, ky rrotullim mund të jetë një eksperiencë gazmore, por jo edhe aq nëse do të ishte i vërtetë. 

Megjithëse në rënie, Shqipëria mbetet një ndër vendet me numrin më të lartë të njerëzve që humbin jetën në aksidente rrugore. Vitin e shkuar pati 70 vdekje për 1 milionë banorë, tregues ky ndjeshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian e madje Kosovës.

“Policia Rrugore duhet të iki nga pritat rutinë nëpër rrugët kombëtare. Makinat inteligjente mund ta kryejnë më së miri kontrollin e shpejtësisë”, thotë Blendi Gonxhja.

Por, a është gati Shqipëria të hedhë këtë hap? Altin Qato shprehet: “Ne kemi shumë akse rrugore kombëtare, por edhe rurale që jo të gjitha i kanë parametrat në nivelin ku ne të heqim punonjësit e policisë totalisht nga këto akse rrugore. Ka disa mangësi dhe të meta që janë burim ose i kthejnë në njolla të zeza siç i quajnë ne”.

Në pjesën më të madhe të rasteve në aksidente përfshihen autovetura, por nuk mungojnë as mjetet e një tonazhi më të madh. Në kushtet që aksidentet rrugore vijojnë të marrin shumë jetë, duhet punuar me përgatitjen e qytetarëve në dhënien e ndihmës së parë thonë përfaqësues nga Kryqi i Kuq.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se në 9-mujorin janar-shtator pjesa më e madhe e atyre që u përfshinë në një aksident rrugor ishin të grup-moshës 25 deri në 34 vjeç, ndërsa më të përgjegjshmit rezultojnë ata mbi 60 vjeç.