Pjesa më e madhe e Shqipërisë është përfshirë prej mbrëmjes e djeshme nga reshje të dendura shiut, të shoqëruara me erë të fortë që kanë shkaktuar problematika në shumë zona.

Dhjetëra fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në bashkinë e Gjirokastrës, për shkak të motit të keq. Sipas informacioneve zyrtare nga njësitë administrative, banorët e fshatrave Cepo, Odrie, Lazarat, Picar dhe Lunxhëri ndeshen me mungesën e energjisë që prej mesnatës.

Ndërkohe liqeni i Viroit në hyrje të qytetit është pranë pikës kritike dhe mund të vërshojë në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë.

Durrësi, njësoj si herët e tjera kur ka reshje me intensitet ka shfaqur sërish problematikën e rrugëve të përmbytura.

Uji, i cili ka depërtuar mbi trotuare ka vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve.

Problematika të ngjashme janë regjistruar dhe në rrugët e kryeqytetit, ku janë përmbytur për disa orë rrugët, për shkak dhe të bllokimit të kanaleve kulluese.

Prej mbrëmjes së djeshme Kapiteneritë në Vlorë dhe Durrës kanë urdhëruar pezullimin e lundrimit të mjeteve lundruese të vogla deri në përmirësimin e kushteve të motit. Vonesa kanë pasur dhe linjat e trageteve.

Reshjet e dendura kanë vënë në gatishmëri dhe autoritetet lokale në Shkodër dhe Lezhë. Shumë zona të thella në këto bashki kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë që ka prezencë të shtuar uji në rrugët e Bërdicës, Zues dhe Dajç, ku dhe kalimi i mjeteve bëhet me vështirësi.

Autoritetet po monitorojnë me kujdes situatën e lumenjve një pjesë e të cilëve kanë prurje të shtuara dhe mund të vërshojnë përtej barrierave të tyre.

Ndërkohë në lidhje me situatën e krijuar ka dalë në një deklaratë për mediat dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Sipas Peleshit, reshjet kanë qenë me intensitet dhe për këtë arsye është rritur gatishmëria në rast nevoje për evakuim të banorëve apo mbështetje me mjete për ta.

Ministri raporton se situata më e rënduar është regjistruar në zonat veriore, por shton se nuk ka problematika serioze.

“Reshjet të shumta me intensitet ka pasur sidomos në veri të vendit. Është rritur gatishmëria si për raste evakuimi apo mbështetje me mjete. Prefektët kanë thërritur emergjencat civile dhe janë në gatishmëri. Deri tani nuk kemi situata serioze. Sipas EC gjatë 24 orëve situata në vend paraqitet si më poshtë. Në Lezhë, në Kurbin 15 mm shi. Lezhë 20 mm. Në Zadrime 120 mm, ku ka prezencë uji në disa sipërfaqe. 500 ha të përmbytura në Balldre. Në fushën e Nën Shkodrës ka prezencë uji në fshatin Prush. Kuotat e lumenjve janë ende larg maksimales. Lumi Drin është në nivelin 4.8 metra nga 7.2 që është. Bashkia e Fushë Arrëzit ka raportuar dëmtime në disa akse dhe ndërprerje të energjisë. Në Vaun e Dejës ka dalë nga shtrati lumi Gjadër që ka dëmtuar dhe infrastrukturën. Në Malësinë e Madhe ka dalë nga shtrati një lumë që ka përmbytur dy banesa. Dy familjet janë evakuuar”, tha Peleshi.