Në një reagim të fundit për mediat, ish-presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev u shpreh se Perëndimi është lodhur me qëndrimet e fundit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe po e shtyn këtë të fundit drejt negociatave për t’i dhënë fund luftës.

Sipas nënkryetarit të Këshillit të Sigurimit, liderët perëndimore janë të bezdisur dhe të mërzitur me kërkesat e vazhdueshme të Zelenskyt ndaj tyre për të zhvatur  gjithnjë e më shumë para dhe armë.

Reagimi i Medvedev erdhi ndërsa fliste për çështjen e raketës që ra në Poloni, duke shtuar se dhe kundërshtarët më të ashpër të rusëve, nuk i pranuan përpjekjet për të fajësuar Rusinë për raketën që ra brenda kufirit polak dhe që shkaktoi dy viktima.

Ndërkohë, gazeta “Kyiv Independent” raporton se forcat ushtarake vendase kanë zbuluar më shumë se 700 trupa të pajetë në zonat e liruara në Kharkiv, Donetsk e Kherson. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e viktimave janë civilë.