Moti i keq në vend përtej dëmeve materiale po shkakton edhe viktimat e para. Pas 16 orësh kërkime, forcat e rendit dhe në veçanti palombarët e RENEA, kanë bërë të mundur gjetjen e trupave të dy shtetasve, babë dhe bir.

Familjarët ishin zhdukur pasi automjeti me të cilin udhëtonin në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, të Malësisë së Madhe, ishte marrë nga furia e rrjedhës së një përroi.

Trupat u gjetën në afërsi të njësisë Bogë, ndërkohë që një vajzë, e cila ishte po ashtu pasagjere, kishte shpëtuar mrekullisht ditën e djeshme.

Ndërkohë, në veri rëndohet situata nga përmbytjet në Lezhë. Sipërfaqe të mëdha toke janë të mbuluara me ujë, në  fshatrat Mabe, Piraj, Gjadër te NJA Dajç dhe Torovicë dhe Balldren.

Sipas të dhënave nga strukturat e MC të bashkive Lezhë, Kurbin dhe Mirditë sasia e reshjeve të rëna për 2 ditët e fundit ka qenë 212 mm.

Fatmirësisht, lumi Gjadër dhe lumi Drin janë mbushur dhe tërheqja e ujit bëhet shumë ngadalë, por nuk kanë dalë nga shtrati.

Sipërfaqe të përmbytura ka në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht përllogariten rreth 700 hektarë, ndërsa në njësinë administrative Balldren në rreth 500 hektarë.

Në njësinë administrative Dajç, bashkia Lezhë, si dhe në fshatin Gajdër kemi 15 banesë në ujë dhe ura e Zojsit është e pakalueshme. Në fshatin Zojs, kemi 5 banesa në ujë. Në njësinë administrative Balldren, fshati Kakarriq kemi 3 banesa nën ujë.