Festa e Pavarësisë u mbyll me një koncert madhështor të Dua Lipës në Sheshin Skënderbej. Ndërsa sot, Shqipëria feston sërish e ndarë politikisht Ditën e Çlirimit. E djathta feston 28 Nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, ndërsa 29 Nëntori është festë vetëm për të majtën.

Ceremonia zyrtare zhvillohet pranë Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, ku vendosen kurora me lule pranë memorialit të Nënës Shqipëri. Në të morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj dhe deputetë e zyrtarë vendorë socialistë. Në ceremoni mungoi kryeministri Rama, por ishin ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Shkurov.

Para nisjes së ceremonisë zyrtare, te Varrezat e Dëshmorëve u shfaqen si çdo vit edhe ithtarët e diktatorit Enver Hoxha, të cilët vendosën pankarta dhe buqeta me lule në hyrje të varrezave.

Ndërkohë, kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputeti Arben Pëllumbi kanë mbërritur në ambientet e Dhomave Speciale të Gjykatës së Hagës, ku mbahen prej muajsh tashmë drejtuesit kryesorë të luftës së UÇK-së. Vizita e Ballës në Hagë vjen për të uruar liderët kosovarë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Këtë vizitë kreu i grupit të PS-së, Balla e paralajmëroi më herët gjatë punimeve të përbashkëta të dy kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës që u mbajt në Tiranë. Disa javë më parë, ish-drejtuesit e UÇK-së u vizituan nga ish-presidentët e Shqipërisë në një takim të organizuar nga Behgjet Pacolli.