Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar të rremë lajmin se 6 dhjetori është një ditë pushimi për administratën në Tiranë për shkak të samitit të liderëve të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Kreu i qeverisë komentoi dhe masat e sigurisë që do të ndërmerren për këtë aktivitet duke thënë se ato janë standarde që organizatorët i zbatojnë në çdo vend ku shkojnë.

“Nuk është marrë asnjë ditë pushimi, është lajm i rremë. Masat e sigurisë nuk negociohen ato vendosen sipas standardeve nga vetë KE-ja që kudo që ka aktivitete ka masa të tilla. Forcat tona të sigurisë punojnë me organizatorët e samitit që në fakt janë në KE për këtë punë. Kjo nuk është punë opinionesh, bëhet fjalë për masa të rrepta sigurie pasi do të vijnë liderët e BE-së. Për ta, ka masa ekstreme sigurie kudo që lëvizin”, tha Rama.