Dora amerikane e paqes refuzohet nga Rusia. Kremlini reagoi ndaj ofertës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për një takim me homologun, Vladimir Putin, duke njoftuar se kushtet janë të papranueshme. Megjithatë, Rusia shprehet e hapur për të rinisur bisedimet e paqes me Ukrainën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nënvizoi se Moska e konsideron rrugën paqësore diplomatike si më të preferuarën për të arritur objektivat e saj.

Por vendosi dhe një kusht, kryesisht për Shtetet e Bashkuara, që të njohin si territor të Federatës Ruse, rajonet ukrainase të aneksuara sëfundmi. “Biden tha se bisedimet janë të mundura vetëm kur Putin të largohet nga Ukraina. Kremlini nuk është gati për këtë dhe operacioni special ushtarak do të vijojë,” u shpreh Peskov.

Kievi bën bilancin me humbjet në radhët e ushtrisë
Një ndihmës i presidentit Volodymyr Zelensky, vlerëson se 10 mijë deri në 13 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë që nga nisja e luftës, më 24 shkurt. Ndërsa pretendon se humbjet nga kampi tjetër shkojnë deri në 100 mijë trupa të eliminuar. Sakaq, Kievi akuzon Moskën se po përdor raketa me aftësi bërthamore, por pa koka apo mbushje, më qëllimin e vetëm për të lodhur sistemet e mbrojtjes ajrore. Për këtë, qeveria ukrainase tregoi dhe prova.

Orban kundër planit të BE-së për të ndihmuar Ukrainën
Ndërkohë, planet e Bashkimit Europian për të ndihmuar Ukrainën duket se po pengohen nga Hungaria. Kryeministri Viktor Orban komentoi paketën me 18 miliardë euro për vitin 2023 dhe tha se më mirë do të ishte që suporti për Kievin të bëhej përmes marrëveshjeve bilaterale. Një tjetër goditje për Bashkimin Europian ka ardhur dhe nga Finlanda.

Kryeministrja Sanna Marin, është shprehur se lufta në Ukrainë tregoi që Europa nuk është aq e fuqishme sa mendohej. “Do të ishim në telashe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikë”, u shpreh ajo në një vlerësim të ndershëm të situatës.