Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar një avion të ri bombardues, pothuajse të pakapshëm nga radarët. Ai u prodhua në fshehtësi të plotë dhe paraqitja e tij duket se vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje të Pentagonit për një konflikt të mundshëm me Kinën. Prezantimi i tij u bë në fshehtësi brenda një objekti ushtarak.

Avioni i fundit bombardues amerikan është prodhuar para 30 vjetësh. Pothuajse çdo aspekt i programit është sekret. Avionët janë aq sekretë sa edhe kur u dha lajmi të premten në një hapësirë të Forcave Ajrore në Kaliforni, u publikuan vetëm vizatime artistike të tij. “B-21 Raider” ngjan me bombarduesin bërthamor që gjithashtu kapet me vështirësi nga radarët, “B-2 Spirit”, që me gjasë do të hiqet nga përdorimi.

Avioni i ri është pjesë e përpjekjeve të Pentagonit për të modernizuar armatimin bërthamor që përfshin raketa balistike bërthamore dhe mbushjet bërthamore të lëshuara nga nëndetëset. Me këtë Pentagoni po zhvendoset nga fushatat kundër terrorizmit të dekadave të fundit për t’u përballur me modernizimin e shpejtë ushtarak të Kinës.

Deri në vitin 2035, Kina pritet të sigurojë 1500 armë bërthamore. Këto arritje ushtarake dhe duke përfshirë edhe luftën kibernetike, aftësitë hapësinore dhe fusha të tjera paraqesin “sfidën më të rëndësishme dhe sistematike për sigurinë kombëtare të SHBA-së”, tha Pentagoni këtë javë në raportin vjetor për Kinën.

“Ne kishim nevojë për një avion të ri bombardues për shekullin e 21-të që do të na lejonte të përballonim kërcënime shumë më të ndërlikuara, si kërcënimet me të cilat kemi frikë se një ditë do të përballemi nga Kina dhe Rusia”, tha Deborah Lee James, sekretarja e Forcave Ajrore kur u shpall kontrata për “B-21 Raider” në vitin 2015.

Gjashtë “B-21 Raider” janë duke u prodhuar ndërsa Forcat Ajrore planifikojnë të ndërtojnë 100 të tillë. Në to do vendosen armë bërthamore ose bomba konvencionale dhe mund të përdoren me ose pa ekuipazh njerëzor. Avioni i ri u prodhua brenda shtatë vjetësh nga dhënia e kontratës ndërsa prodhime të tjera luftarake përfshirë anijet kanë marrë dekada.

Kostoja e prodhimit nuk dihet dhe kjo i shqetëson mbikëqyrësit e qeverisë. Në vitin 2010, Forcat Ajrore thanë se çmimi për blerjen e 100 avionëve do kushtonte mesatarisht 550 milionë dollarë secili apo afërsisht 753 milionë dollarë sot, por është e paqartë se sa po shpenzon Forca Ajrore në të vërtetë.

‘Raideri’ nuk do të bëjë fluturimin e tij të parë deri në vitin 2023. Megjithatë, duke përdorur programe të avancuara kompjuterike “Northrop Grumman” ka testuar aftësitë e ‘Raiderit’ duke përdorur një binjak digjiital, një kopje virtuale e atij që u prezantua të premten.

Avioni i ri, “B-21 Raider”, e ka marë emrin nga sulmet ajrore mbi kryeqytetin japonez, Tokio në vitin 1942 të njohur si “Doolittle Raid”. Ai do jetë pak më i vogël se ‘B-2’ për të rritur rrezen e tij,.

Në tetor të vitit 2001, pilotët e avionit të vjetër bombardues ‘B-2’ vendosën një rekord të ri kur fluturuan 44 orë rresht për të hedhur bombat e para mbi Afganistan, pas sulmeve të 11 shtatorit.