Itali- Katër të rinj kanë humbur jetën tragjikisht në Itali, pasi u përfshinë në një aksident rrugor.

Mësohet se ngjarja ndodhi në zonën e San Giustino Umbro afër Altomare, ndërsa viktimat janë dy vajza 17 dhe 22 vjeç dhe dy djem 20 dhe 21 vjeç. Ata po udhëtonin me një Fiat Punto, i cili, bazuar në atë që është rikonstruktuar deri tani nga karabinierët, përfundoi jashtë rrugës.

Sipas Tgcom24, të katër të rinjtë kishin marrë pjesë në një festë ditëlindjeje dhe po shkonin në Sansepolcro në Toskanë për të shkuar në disko. Të gjithë ishin me origjinë nga Santa Maria Tiberina dhe Città di Castello.

Ekziston hipoteza se rruga e lagësht mund të ketë qenë shkaku i aksidentit, i cili ka ndodhur përgjatë një rruge të drejtë. Makina fillimisht përfundoi në një kanal dhe më pas në murin mbajtës të një ure. Të gjithë të rinjtë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme brenda makinës.