Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, ka deklaruar se lufta në Ukrainë mund të “mbarojë nesër” nëse ka “vullnet politik” nga ana e Kievit, ndërsa ka përjashtuar që për momentin të ketë bisedime për aneksime të reja territoresh.

Sipas Interfax, Peskov ka theksuar se nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, “e ka këtë dëshirë”, mund të flitet menjëherë për fundin e konfliktit të armatosur.

“Zelensky e di se kur mund të përfundojë e gjithë kjo: mund të përfundojë nesër, nëse kjo është ajo që ai dëshiron”, tha Peskov.

Zëdhënësi ka përjashtuar aneksimin e territoreve të reja në zonën e prekur nga “operacioni ushtarak” rus: “Të paktën nuk ka asnjë komunikim për këtë çështje. Megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë për të çliruar këto territore”, tha ai.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, “çmilitarizimi dhe denazifikimi” mbeten ndër objektivat kryesore të luftës dhe jo aneksimi i territoreve të reja.