Investimet e huaja kanë kapur vlerën më të lartë në tri dekada. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në 9-mujorin janar-shtator vlera e parave të investuara nga jashtë vendit arriti në 984 milionë euro, duke u rritur ndjeshëm në raport me vitet e shkuara.

“Ka pasur një influks të investimeve të huaja. Megjithatë, ndonëse në rritje shifrat janë ende larg atyre të duhurave. Jemi ende “hartë e zezë’ për investitorët e huaj”.

Sinkron Zenel Hoxha, Dhoma Britanike e Tregtisë
Pjesa më e madhe e këtyre investimeve kanë shkuar për blerje pronash nga shtetas të huaj, ndjekur nga investimet në industrinë nxjerrëse, sektorin energjetik, industrinë përpunuese dhe tregun e sigurimeve.

Për përfaqësues të investitorëve të huaj, ka ardhur koha që Shqipëria të punojë në drejtim të diversifikimit të sektorëve ku të huajt investojnë.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se Holanda udhëheq listën e investitorëve të huaj në harkun e muajve janar-shtator me 147 milionë euro, ndjekur nga Italia me 118 milionë, Gjermania, Austria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithëse të dhënat mungojnë, investimet nga Hungaria, kryesisht në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacionit po zgjerohen, teksa e kundërta po ndodh me Turqinë.

Tërheqja e kompanive turke nga tregu i telefonisë ka bërë që vlera e investimeve të bjerë në minus tre milionë euro në 9-mujorin janar shtator.