Për të parën herë që nga 1 janari 2002 kur valuta evropiane hyri në Shqipëri, euro ka rënë nën 113 lekë duke shënuar vlerën më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro zbriti këtë të mërkurë në 112.83 lekë duke u zhvlerësuar me mbi 24 lekë në raport me 22 dhjetorin e dy dekadave më parë.

Krahasuar me fillimin e muajit kur një euro këmbehej me 116.86 lekë, valuta evropiane është zhvlerësuar me pak më shumë se lekë në raport me monedhën kombëtare. Zhvlerësimi i euro po vjen edhe si pasojë e futjes në vend të një sasie të lartë të monedhës europiane me rastin e festave të fundvitit.

Edhe pse rënia këtë periudhë konsiderohet normale, “rrokullisja” në këto nivele për ekspertët më shumë se sa rënia e valutës europiane, po shkaktohet nga mbiçmimi i lekut.

Euro është monedha dominuese në strukturën ekonomike shqiptare dhe zhvlerësimi i saj i bën kreditë në këtë valutë më të lira, ul koston e produkteve të importuara duke ndikuar edhe në rënien e inflacionit, ndërsa ulen kostot e borxhit në euro. Nga ana tjetër, një euro më e dobët do të thotë më pak vlerë për dërgesat e emigrantëve, ndërsa me humbje janë edhe eksportuesit, që shohin marzhet e tyre të fitimit të ngushtohen.

Duke marrë në analizë efektet pozitive dhe ato negative, për ekspertët, rënia e euros nuk i bën mirë ekonomisë shqiptare.