Ligji që rikthen lojërat të fatit pritet të miratohet brenda marsit të vitit të ardhshëm, hap që do t’i çelte rrugën basteve “online” në vend. Lajmin e dha ministrja për ekonominë dhe Financat, Delina Ibrahimaj në konferencën përmbyllëse mbi situatën ekonomike këtë vit.

“Ne kemi punuar intensivisht gjatë muajve të fundit në ligjin për bastet sportive, me qëllim lejimin e basteve sportive online, jemi në proces të finalizimit gjatë vitit të ardhshëm, do të fillojmë procedurat e miratimit të ligjit. Brenda 3-mujorit të parë të 2023, ky ligj pritet të miratohet në Parlament”.

Teksa garantoi se nga sulmet kibernetike ndaj sektorit bankar nuk janë prekur llogaritë e qytetarëve, Ministrja e Financave lajmëroi edhe nismën e re të qeverisë në drejtim të sigurisë digjitale.

“Qeveria është duke ndërtuar infrastrukturën që do monitorojë sulmet që do vijnë në të ardhmen. Është një dukuri që nuk ndodh vetëm në vend. Ndodh në të gjitha vendet e botës sepse kjo është një lloj lufte e re e një ere të re.”

Duke pranuar se bordi i transparencës ka sjellë ndërlikime për shumë tregtarë me pakicë, Ibrahimaj tregoi edhe se kur do të hiqet dorë nga ky mekanizëm kontrolli.

“Ne do të vijojmë të mbajmë Bordin e Karburanteve përsa kohë që çmimet në tregun e karburanteve do të vijojnë të jenë ndjeshëm më të larta se mesatarja afatgjatë. Në momentin e parë që do të ketë një reduktim të ndjeshëm të çmimit të karburanteve, atëherë që ne sigurisht do të dalim nga funksionimi i këtyre bordeve.” 

Ministria e Financave dhe ekonomisë parashikon që rritja ekonomike këtë vit të jetë në nivelin 3.7 për qind, duke u ulur në 2.6 për qind gjatë 2023-shit.