Ftesa e kryeministrit Edi Rama për krerët e partive shqiptare ndezi debatin politik në Maqedoni të Veriut. VMRO-DPMNE në opozitë e përdori për të përsëritur thirrjen për zgjedhje të parakohshme, ndërsa takimin në Tiranë e konsideron një tentativë për të shpëtuar karrierën politike të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

 “Vendimet për Maqedoninë duhet të merren në Maqedoni dhe pas ndryshimit të qeverisë, një nga gjërat e para që do të bëjmë është që të ndalojmë këtë praktikë që Maqedonia të marrë vendime jashtë Maqedonisë”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Naum Stoilkovski.

Partia opozitare në Shkup vijoi më tej duke akuzuar LSDM-në se po hesht ndaj këtij takimi të thirrur nga Rama, ndërsa pyeti qeverinë nëse po pret një platformë të dytë të Tiranës, duke iu referuar kështu asaj të 2016-ës me të cilën u bashkua spektri politik shqiptar në Maqedoni të Veriut për të vendosur të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në kushtetutë.

Por reagimi nga LSDM nuk mungoi, duke e konsideruar kryeministrin shqiptar një mik të dëshmuar të Maqedonisë së Veriut. Takimin e vlerëson si një kontribut për ndërtimin e një rajoni më shumë europian. Por partia shqiptare, Lëvizja Besa, që ndodhet në opozitë dhe bashkëpunim me VMRO-DPMNE, bojkotoi tryezën e Tiranës për këto arsye të bëra të ditura për A2CNN:

 “Jemi kundër uljes në një tavolinë me Ali Ahmetin dhe Artan Grubin, pasi I konsiderojmë si subject politik si fajtorët kryesorë për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Abdul Demiri, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Besa.

Analisti Xhelal Neziri tregoi për A2 CNN se në fakt përplasjet kryesore nuk janë mes partive shqiptare me njëra-tjetrën, por me ato maqedonase, ndërsa foli dhe për shanset e një koalicioni mes VMRO-së dhe LSDMS-së.

 “Ky skenar është i mundur dhe buron nga përplasjet mes LSDMS, ku kryeministri Zaev prej kohesh nuk është dakord me sekretarin e partisë”, rrëfeu ai.  

Ndërkohë, këto zhvillime politike vijnë në një kohë kur ndaj Shkupit sa vjen e shtohet presioni për të kryer ndryshimet kushtetuese, pra futjen e pakicës bullgare në preambul deri në shtator të këtij viti. Por LSDM nuk i ka votat e nevojshme në parlament, në një betejë politikë që mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme./a2