Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy persona, pasi janë kapur me lëndë narkotike dhe armë zjarri.

Fillimisht, policia bën të ditur se një 22-vjeçar braktisi automjetin në të cilin kishte lëndë narkotike dhe iu shmang policisë duke përfituar nga errësira. Në automjetin e 22-vjeçarit udhëtonte edhe një shtetas tjetër, i armatosur me pistoletë, i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Kontigjenti”, të zhvilluar një ditë më parë.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontigjenti”, të zhvilluar ditën e djeshme, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi B. C. dhe u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kanabis, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga, brenda 24-orëve, shtetasin e shpallur në kërkim:

-T. P., 22 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga shtetasi T. P., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kanabis. 22-vjeçari tashmë i arrestuar, duke përfituar nga kushtet e errësirës, braktisi automjetin e ndaluar për kontroll, në kuadër të operacionit policor Kontigjenti”, njofton policia.