Në 110-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku e cilësoi 13 janarin si një ditë feste, përzier me reflektim, ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe përulje të thellë.

“punonjësit e policisë sot nuk gjenden përballë krimit të vetëm, me uniformën dhe armën e shërbimit. Pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, çelja e një epoke të re për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe filozofia e kontaktit të drejtpërdrejtë me problemet e qytetarit, bëjnë që 13 janari i vitit 2023 të na gjejë shumë herë më të sigurt, më të mbrojtur dhe më profesionistë”, tha Rrumbullaku.

Para gjithë trupës policore Rrumbullaku dha një zotim. “Zotohemi përballë qytetarëve tanë se puna e policisë së Shtetit do të vijojë të mbetet tërësisht e pranishme dhe fisnike në jetët e shqiptarëve si dhe se do të jetë në konferencë të plotë në hapat e ndryshimit të përditshëm të shoqërisë sonë. Brezat e rinj të Policisë së Shtetit, me përgjegjshmërinë dhe atdhedashurinë që i karakterizon, do të vijojnë të lënë gjurmë në historinë e Policisë së Shtetit, e cila shtrihet tashmë në dy shekuj”, shtoi ai.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ndonëse jo i pranishëm në një postim në rrjetet sociale tha se përulemi me respekt para të gjithë kontribuuesve të saj. Sipas ministrit Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të besuara në vend ndërsa lamë pas një vit ku vetëm falë saj pati 30% më pak vrasje dhe 13.5% me pak aksidente rrugore.