Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak ka konfirmuar ditën e sotme se vendi do të dërgojë në Ukrainë tanke “Challenger 2”.

Lajmi po qarkullon prej disa ditësh tashmë, por u konfirmua sot nga vetë kreu i qeverisë britanike gjatë një bisede telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Një zëdhënës i Doëning Street njoftoi të shtunën: Liderët reflektuan mbi gjendjen aktuale të luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërsa fitoret e njëpasnjëshme të Ukrainës i shtynë trupat ruse prapa dhe përkeqësuan gjendjen e tyre ushtarake dhe morale…Kryeministri nënvizoi ambicien e Mbretërisë së Bashkuar për të intensifikuar mbështetjen tonë për Ukrainën, duke përfshirë sigurimin e tankeve Challenger 2 dhe sistemeve shtesë të artilerisë.”

Ky vendim e bën Britaninë vendin e parë që i përgjigjet lutjeve të liderëve të Ukrainës për të pajisur ushtrinë e tyre me tanke të “dorës së parë.”

Po ashtu, ky vendim i Britanisë mund të ndihmojë në inkurajimin e aleatëve të tjerë të NATO-s, veçanërisht Gjermanisë, që të ndjekin të njëjtin shembull.

Pritet që Britania e Madhe të ofrojë rreth 10 tanke Challenger 2, të cilat do të mjaftonin për të pajisur një skuadrilje.