Është arrestuar pas më shumë se 30 vitesh nga shpallja në kërkim, Matteo Messina Denaro, bosi më i madh i Cosa Nostra. Denaro u arrestua nga karabinierët në një klinikë private në Palermo, ku ishte shtruar për kurim.

Denaro konsiderohej si trashëgimtari i “fronit” të mafias siçiliane, që prej arrestimit të Toto Riina-s në vitin 1993 dhe kalimit në izolim të plotë të mikut të tij, Bernardo Provenzano.

Denaro është djali i Don Ciccio-s, bos i degës së Castelvetrano (Trapani), aleat historik i korleonezëve.

Ai ishte dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje, mes të cilave ajo e të voglit Giuseppe di Matteo, djali i një të penduari i cili u shkri në acid, pasi u mbajt peng për dy vite. Ai është dënuar edhe si pjesëmarrës në atentatet që i morën jetën dy prokurorëve më të famshëm të antimafias italiane, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino dhe për disa ngjarje të tjera mafioze.

16 janari i vitit 2023 do të mbahet mend si dita që i dha fund arratisë së atij që konsiderohej si bosi i fundit i madh i Cosa Nostra.