Policia e Shtetit arrestoi 5 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë, në kuadër të një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me SPAK në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.  

Në operacion morën pjesë efektivë nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special RENEA, nën koordinimin e SPAK-ut. 

Gjatë operacionit u sekuestruan 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.  

Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.

“Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special RENEA, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“. 

Gjatë këtij operacioni janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit: Bashkim Haxhija, 54 vjeç, Marsel Deçkaj, 38 vjeç dhe Genti Ndërjaku, alias Kili Ndërjaku, 40 vjeç, të tre banues në Durrës; Endrit Sinani, 29 vjeç dhe Juljan Pjetri, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë”, tha Policia. 

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar. Mes tyre është edhe urdhërarresti për Plaurent Dervishajn, i cili ndodhet në Dubai, si edhe për Julian Meçen.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit A. N.), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit A. M. dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit A. L.), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Dervishaj është pjesë e grupit të personave që akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut në 25 shkurt 2005 në Durrës. Dervishaj u arrestua në Dubai në vitin 2021, por më pas u la i lirë, edhe pse autoritetet e drejtësisë kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij për shkak të vonesës në mbërritjen e letërporosisë në Dubai nga Shqipëria.

SPAK vijon hetimet për dy ngjarjet e bujshme, vrasjen e Klodjan Saliut dhe Vajdin Lames në Tiranë. Për këto ngjarje, më 15 janar 2021, u ekstradua nga Kosova në Tiranë, Indrit Taullai, ndërsa vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar Lulzim Berisha. Momentalisht, në burg për dy ngjarjet janë Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe i penduari Luftar Reçi.

Dy ngjarjet kriminale të zbardhura nga SPAK kanë ndodhur shkurtin e vitit 2005. Mbrëmjen e 26 shkurtit Klodian Saliu po udhëtonte në një automjet tip “Mercedes” në aksin Durrës-Maminas, kur nga një automjet në lëvizje u qëllua me breshëri automatike. Saliu u vra, ndërsa u plagos edhe një person tjetër. 24 orë me vonë, biznesmeni Vajdin Lame u vra nga një shpërthimi telekomanduar i një sasie tritoli të vendosur në ashensorin e pallatit të tij pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Përveç tij, i vrarë mbeti edhe Artan Arsi.