Presidenti amerikan Joe Biden do të emërojë diplomatin David J. Kostelancik, në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, për të zëvendësuar në këtë detyrë Yuri Kim, të cilës i përfundoi mandati.

Kostelancik ka shërbyer edhe më herët në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike. Aktualisht, ai mban detyrën e Këshilltarit për Politikën e Jashtme të Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.

Gjithashtu, diplomati Kostelancik ka punuar dhe si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit. Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë si dhe në misionet e SHBA në OSBE dhe NATO.

I lindur në Ilinois, Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northëestern të këtij shteti. Ai ka dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës dhe Universiteti i Miçiganit.

Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.