Nations League ka hyrë në fazën e nxehtë. Në Nion të Zvicrës u hodh shorti i gjysmëfinaleve, me skuadrat e kualifikuara në Final Four.

Holanda do të ndeshet me Kroacinë më 14 qershor, në stadiumin De Kuip të Roterdamit. Në gjysmëfinalen tjetër, Spanja do të përballet me Italinë më datë15. Të dielën e 18 qershorit, prej orës 20:45 në impiantin në Roterdam do të luhet edhe finalja e madhe.

Spanjë-Itali shihet edhe si mundësi e të kaltërve për tu hakmarrë për gjysmëfinalen e edicionit të kaluar. Sfida e luajtur në tetor të vitit 2021 në San Siro përfundoi me fitoren 2-1 të iberikëve.

Ajo ndeshje u vendos nga dy golat e Ferran Torres, ndërsa italianëve nuk u shërbeu rrjeta e Lorenzo Pellegrini në fundin e lojës. Më pas Furia e Kuq humbi finalen përballë Francës.

Italia kërkon suksesin, si mënyrë për të harruar edhe dështimin në Kupën e Botës, ku nuk është kualifikuar në dy edicionet e fundit të evenimentit.

Të kaltërit, janë kualifikuar për të dytën herë me radhë në fazën finale të Nations League, ashtu si edhe Spanja që tashmë drejtohet nga Luis de la Fuente. Holandezët do të luajnë për trofeun pas finales së vitit 2019, ndërsa për Kroacinë ky është debutimi absolut në Final Four.