Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të kalimit të paligjshëm të kufirit me dokumente te falsifikuara me qëllim kërkimin e azilit.

Bëhet fjalë për një 24-vjeçare, e cila është konstatuar nga Policia në Aeroportin e Rinasit me pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane, të falsifikuara.

Ndërkohë, në pranga ka rënë edhe një 30-vjeçar, i cili e shoqëronte të renë në aeroport

“Rinas, finalizohet operacioni policor i koduar “Sajesa”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik të DVP Tiranë, për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, me dokumente të falsifikuara, me qëllim kërkimin e azilit.

Operacioni u bazua në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik të DVP Tiranë, si dhe falë përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, që tashmë disponon Policia Kufitare, për evidentimin e dokumenteve të falsifikuara.

Tentoi të kalonte kufirin, me dokumente të falsifikuara, me qëllim kërkimin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar, me pretendimin se në Shqipëri ishte viktimë e prostitucionit, vihet në pranga 24-vjeçarja. Procedohet penalisht 30-vjeçari që e shoqëronte. Sekuestrohen një pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane, të falsifikuara.

Në kuadër të operacionit, në Rinas, u kap dhe u vu në pranga në tentativë për të kaluar kufirin shtetasja M. M., 24 vjeçe. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 30 vjeç, i cili shoqëronte 24-vjeçaren.

Gjatë kontrollit të detajuar, në çantën e 24-vjeçares, Policia gjeti dhe sekuestroi një pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane, të falsifikuara, të cilat kjo shtetase do t’i përdorte për të kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, duke sajuar një alibi se në Shqipëri ishte viktimë e prostitucionit.”

Policia e Shtetit