Kryeministrja Italiane Giorgia Meloni vizitoi Tripolin të shtunën  për të përmbyllur një ujdi 8 miliardë dollarëshe për gazin, që synon të rrisë furnizimet me energji në Europë, pavarësisht pasigurive dhe kaosit politik në shtetin afrikano-verior.

Meloni u takua me kryeministrin libian Abdulhamid al-Dbeibah, kreu i qeverisë së unitetit kombëtar, e njohur ndërkombëtarisht, me të cilin bisedoi edhe për çështjen e emigracionit ne Mesdhe. 

“Ajo në Tripoli është një prej vizitave të para ndërkombëtare që zhvilloj në zonën e Mesdheut dhe tregon se Libia është prioritet për Italinë”, tha Meloni.

Marrëveshja 8 miliardë dollarëshe e nënshkruar mes kompanisë shtetërore të energjisë në Itali, ENI dhe koorporatës kombëtare të naftës së Libisë, parashikon zhvillimin e dy fushave libiane të gazit në det të hapur dhe investime në energji diellore, teksa vendet evropiane kërkojnë të shkurtojnë varësinë e tyre nga furnizimet ruse.

ENI vlerësoi se fushat mund të prodhojnë rreth 7.5 miliardë metra kub gaz në vit ose më shumë se dy të tretat e sasisë që importoi Italia nga Rusia vitin e kaluar.

“Nënshkrimi i marrëveshjes mes kompanisë shtetërore të energjisë në Itali dhe koorporatës kombëtare të naftës në Libi është një hap i rëndësishëm dhe historik, në një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm”, shtoi kryeministrja italiane.

Shtetet evropiane kanë nxituar të blejnë gaz natyror nga burime jo-ruse, duke përfshirë Afrikën e Veriut, pas nisjes së luftës ruse në Ukrainë.

Rusia ka qenë furnizuesja më e madhe e Bashkimit Evropian me gaz natyror, por në vitin 2023 eksportet e gazit natyror rus në vendet e bllokut besohet se do të reduktohen për gati 60 miliardë metra kub në krahasim me 140 miliardë metra kub vitin e kaluar dhe gati 200 miliardë metra kub në nivelet para pandemisë së koronavirusit.