Konferenca e Kryetarëve pranoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal.

Krahas kësaj, konferenca miratoi kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit.

Të hënën e kaluar, kreu i PD, Sali Berisha bllokoi foltoren e Parlamentit, duke akuzuar mazhorancën se po tenton t’u mohojë fjalën deputetëve të opozitës: “Për shkak të një personi që ka inkriminuar veten nga këmbët te koka, parlamenti funksionon kundër parimeve të një vendi të lirë. Ky parlament u mohon deputetëve të drejtën kushtetuese. Ky parlament është shndërruar në funksion të një njeriu, i cili ka argument të vetëm sharjen si ordiner”.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i kërkoi Berishës të ulej, pasi i kishte përfunduar fjala, por kreu demokrat vijoi të fliste, madje pranë tij në foltore shkuan edhe deputetë të tjerë të opozitës. Kjo bëri që Nikolla të ndërpriste seancën.

Deputetët e opozitës kishin kërkuar prezencën e kryeministrit Edi Rama në sallë, ndërsa një kërkesë e bërë më herët gjatë ditës për ndryshimin e rendit të ditës për të mbajtur një mocion me debat për çështjen McGonigal, u rrëzua me votë nga mazhoranca.

Pas tensioneve në Kuvend, Sali Berisha dhe 4 deputetë të PD-së u përjashtuan me 10 ditë.