Materniteti “Koço Gliozheni” ka reaguar në lidhje me lajmin e vdekjes së një nëne 30-vjeçare, disa ditë pas lindjes së fëmijës.

“30-vjeçarja është shtruar në spitalin tonë më datë 28 janar dhe nuk ka referuar asnjë patologji shoqëruese. Lindja natyrale ka shkuar mirë, duke sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm. Pas 48 orësh qëndrimi në spital, ku ka marrë shërbimin e nevojshëm, nëna ka dalë nga spitali me dëshirën e saj, në gjendje shëndetësore të stabilizuar. Disa ditë pas lindjes, nëna e re është paraqitur në spital me dobësi trupore dhe menjëherë, pacientja është shtruar në repartin e terapisë intensive, ku është trajtuar konform të gjitha protokolleve mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, gjendja e pacientes është rënduar në mënyrë të shpejtë, duke ndërruar jetë”, lexohet në reagim.

“Priten rezultatet e Mjekësisë Ligjore për të mësuar shkakun e humbjes së jetës së pacientes”, shton më tej materniteti “Koço Gliozheni”.