Mungesa e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend për të marrë pjesë në interpelancën e thërritur nga opozita, lidhur me çështjen McGonigal, solli reagimin e ashpër të deputetëve të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë.

Kryeministri ia kishte deleguar interpelancën ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, diçka që nuk u pranua nga deputetët e opozitës. Edhe pse pa Berishën në sallë – të përjashtuar për 10 ditë nga punimet – ata bllokuan foltoren duke kërkuar me ngulm praninë e Ramës. Në shenjë proteste nuk munguan edhe bilbilët, me të cilët disa deputetë u përpoqën të mos lejonin vijimin e punimeve.

Kërkesa e opozitës nuk u pranua dhe Kuvendi vijoi punimet normalisht duke miratuar rendin e ditës dhe ligjet që ishin në të.

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, i ka akuzuar kryeministrin Rama se ka goditur demokracinë amerikane, i përfshirë në çështjen “McGonigal”, duke dashur të eliminojë sipas tij opozitën. “Drejtësia amerikane ka vendosur nën hetim kryeministrin Rama dhe bashkëpunëtorët e ngushtë me akuzën e financimit me para në dorë për të eliminuar opozitën. E shkruar e zezë mbi të bardhë. Nuk është i vetëm dhe rastësisht kryeministri me bashkëpunëtorët e tij se ju keni bërtitur për hapjen e dosjeve ndërkohë që aktivizoni atavizmat e sigurimit të shtetit për goditjen e opozitës. Dora kryesore që godet opozitën është vetë kryeministri që ka korruptuar ekonominë, mediat dhe gjithçka dhe donte të korruptonte SHBA-në me qëllim që të sundojë në një regjim putinist”.

Sipas tij, drejtësia shqiptare duhet ta kishte marrë të pandehur kryeministrin, të cilin e konsideroi si tradhtarin më të madh të shqiptarëve. “Korrupton SHBA-ja duke goditur imazhin e shtetit që ruan ekuilibrat botërorë, godet zemrën e demokracisë, ka frikë të japë llogari dhe prandaj duhet t’i nënshtrohet një mocioni debati. Ne do të bëjmë zbulimin e së vërtetës dhe që drejtësia shqiptare e kapur prej jush duhet të vepronte menjëherë duke e marrë të pandehur. Pse vonon drejtësia shqiptare jemi para një vepre penale shumë të rëndë”.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u kërkoi deputetëve që vërejtjet dhe kërkesat e tyre të depozitohen me shkrim duke theksuar se nëse ata, kanë ardhur me mendimin për të bllokuar seancën, kjo nuk do të ndodhë. “Rregullorja e përcakton qartë. Interpelanca është futur në pikën e parë të rendit të ditës. Ndaj mos mbajmë ligjërime sikur medemek po respektojmë rregulloren”, u shpreh Nikolla.

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, tha se Nikolla ka shkelur rregulloren në seancën e shkuar, duke i mohuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës. “Në procesverbalin mungon fjala e 54 deputetëve të opozitës. Ju në kundërshtim me rregulloren, vetëm nga frika që kryeministri të përballej me opozitën, i hoqët seancën e shkuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës. Sipas rregullores në rast se në sallë shkaktohet kaos, drejtuesi pezullon seancën. Nëse kaosi vijon, ndërpritet seanca dhe zhvendoset rendi i ditës. Akti i vetëm që mund të bëni sot, është anulimi i atij procesi të turpshëm votimi, ku u miratuan ligje pa i njohur dhe u dhënë të drejtën kushtetuese deputetëve të opozitës”, tha Bardhi. Pas tensioneve në sallë, ku Bardhi ishte protagonist, Nikolla e përjashtoi nga seanca.

Për atë që ndodhi në sallë reagoi Kryeministri Rama, i cili përmes një postimi në Twitter, e quajti shfaqjen një tallje të madhe. “Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu! Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI-së të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim. Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA-në dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë“, shkroi Rama në rrjetin social.