Mbi 100 shkelje të rregullave ekonomike dhe financiare. Kjo është akuza që rëndon ndaj Manchester City, pas hetimit të nisur nga Premier League angleze. Rreziku i heqjes së pikëve në renditje, por mbi të gjitha frika e përjashtimit nga kampionati dhe heqja e trofeve për periudhën e hetimit, mes të cilave edhe tre tituj kampionë në Angli.

Akuzat lidhen me sponsorizimet e rritura në mënyrë artificiale, çështje për të cilën “sitizëns” u përballën edhe me UEFA-n, por edhe kontratën e ish-trajnerit Mançini, si edhe transferimet e lojtarëve minorenë. Për tu mbrojtur nga ndëshkimet, Manchester City ka punësuar një prej avokatëve më të kushtueshëm në treg.

Bëhet fjalë për Lord Pannick nga zyra Blackstone Chambers. Avokati është mjaft i njohur me çështjen, pasi në vitin 2020 ai drejtoi mbrojtjen e Manchester City në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Në atë periudhë konfederata europiane kërkonte që sitizëns të përjashtoheshin për dy vjet nga kupat, pretendim që u hodh poshtë nga CAS në Lozanë.

Avokati Pannick do të përfitojë nga Manchester City aq sa paguhet Kevin De Brujn, i cili momentalisht është futbollisti më i paguar në Angli. Për shërbimet e tij, avokati do të përfitojë 80 mijë stërlina në ditë, ose e thënë ndryshe 400 mijë stërlina në javë. Një tjetër kontratë milionere për sitizëns, këtë herë për të mbrojtur rezultatet e arritura në fushë.