Ora 14:10 – Berisha me disa mbështetës mblidhen te godina e Parlamentit

Në përfundim të protestë para Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Sali Berisha dhe disa mbështetës të PD janë drejtuar nga godina e Kuvendit të Shqipërisë. Të hënën, kreu i PD thirri protestuesit të mblidhen sërish para Parlamentit.

Ora 14:00 – Mbyllet protesta e opozitës. Fillimisht u largua kreu i PD, Sali Berisha, e më pas të gjithë drejtuesit e tjerë politikë të opozitës. Menjëherë më pas u larguan edhe njerëzit e mbledhur në bulevard.

Ora 13:57 – Hidhen tymuese drejt Kryeministrisë

Në përfundim të fjalës së kryetarit Sali Berisha, disa protestues kanë hedhur tymuese dhe flakadanë drejt Kryeministrisë. Kordoni policor nuk ka lëvizur nga vendi ndërsa disa efektivë kanë nisur të largojnë flakadanët nga shkallët e Kryeministrisë.

Ora 13:40 – Berisha: Rama, o besëprerë, largohu!

Kryetari i Partisë Demokratike sulmoi ashpër kryeministrin Rama, duke e quajtur kreun e narkoshtetit të vetëm të Europës. “O besëprerë, jep dorëheqjen, largohu! Rama nuk mund të jetë kurrë kryeministër i Shqipërisë. Edi Rama, kreu i narkoshtetit të vetëm në Europë, ndër shpresëvrasësit më të mëdhenj në botë”.

Berisha akuzoi kryeministrin se nuk ka korruptuar vetëm ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal. “Rama bleu ambasadorë, deputetë e zyrtarë. Të cilët pa pushim punuan kundër opozitës”, tha Berisha. “Sot Shqipëria shihet si një vend ku mafia dhe kartelet e drogës pastrojnë paratë e krimit.

Në dy vitet e fundit, importet nga Kolumbia janë rritur 60 herë për të shndërruar këtë tokë të bekuar, në një Kolumbi të dytë për Europën. Edi Rama, ti je një rrezik madhor për sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Jep dorëheqjen dhe largohu me organizatën tënde kriminale. Pse duhet të durojnë shqiptarët të durojnë këtë poshtërim, këtë nxirje të imazhit të kombit? Imagjinoni sikur të ndodhë që një njeri si ky, të bëjë hapin në samitin e NATO-s, çfarë do të ndodhë me Shqipërinë dhe shqiptarët? Shqipëria dhe shqiptarët do skuqen nga turpi. Edi Rama, ik, largohu, jep dorëheqjen!”. (Lexo më shumë)

Ora 13:20 – Meta: Rama, armik i Shqipërisë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e quajti Edi Ramën armik të interesit publik dhe kombëtar. Në fjalën e tij para protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Meta tha: “Struci i rilindjes është fshehur si frikacak i pashoq. Rama-McGonigal, afera që ka tronditur dy anët e Atlantikut. Rama do të japë llogari për shkeljet dhe bllokimin e nismave të opozitës. Me Edi Ramën kryeministër, vendi vetëm zhytet në korrupsion”. (Fjala e plotë)

Ora 13:00 – Mjeku Ilir Alimehmeti: Ne do ta shërojmë vendin nga ky virus

Mjeku Ilir Alimehmeti, i cili ishte kandidat në primaret e PD për zgjedhjet lokale, tha se Shqipëria është infektuar nga virus, nga i cili vetëm opozita mund ta shërojë. Duke përmendur ato që sipas opozitës ka bërë qeveria socialiste, Alimehmeti tha: “Do i luftojmë këto viruse në çdo zyrë, në çdo institucion, në çdo rrugë, në çdo shesh, kudo ku të jenë, sepse ata nuk ikin vetë. Ikin vetëm po t’i heqim ne. Ne jemi sistemi imunitar i Shqipërisë. Ne mund ta bëjmë këtë!” (Fjala e plotë)

Ora 12:30 – I pari prej përfaqësusve politikë që mori fjalën ishte Belind Këlliçi, i cili është edhe kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet e 14 majit. “Tirana na ka mbledhur të gjithëve, na ka bashkuar për të kundërshtuar njëzëri të gjitha padrejtësitë që i bëhen vendit tonë nga kjo godinë. Këtu është strumbullari i të gjitha të këqijave, i të gjitha aferave që i kanë marrë arkës sonë të përbashkët miliarda euro. Para që iu morën fermerëve, minatorëve, naftëtarëve, spitaleve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Para që u vodhën me asfalt elektoral, farsa rindërtimi dhe me inceneratorë imagjinarë”, tha Këlliçi.

“Një pyetje kam: Kush e ka parë kryeministrin? Ku është VIP-i? Po këtë që do varte tek palmat e kryeministrisë, zarin e tij në Bashkinë Tiranë, a e ka parë njeri këto ditë? Ish-zëvendësi i tij është kapur. S’ka ku e luan tani. Nëse drejtësia e ka çarkun e madh, edhe tigri bie në çark”. (Fjala e plotë)

Ora 12:00 – Opozita shqiptare zhvillon sot një protestë para Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit e shumtë janë mbledhur para bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku edhe është ngritur stenda nga ku flasin përfaqësues të opozitës. Kryefjala e protestës është largimi i Kryeministrit Rama, i cili së fundmi është akuzuar për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.