Ndjekja e një diete me bazë bimore, është këshilluar gjithnjë nga dietologët, si një nga mënyrat më të shëndetshme për të mbajtur larg sëmundjet e zemrës dhe shqetësime të tjera. Madje në një studim të publikuar vetëm pak javë më parë, u arrit në përfundimin se shtimi i perimeve dhe bishtajoreve në dietën ushqimore, mund të zgjaste jetën me 13 vjet.

Por një studim i ri, i ka hedhur poshtë të gjitha këto përfundime, pasi sipas analizimit të dietave te rreth 400 mijë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, ngrënia e perimeve të gatuara, nuk e zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës.

Çfarë thotë studimi?

Gjetjet e këtij studimi kontradiktor, janë publikuar në revistën “Frontiers in Nutrition”, ndërsa e vënë theksin te fakti, se shtimi i perimeve të gatuara në dietë, nuk ka efekt mbrojtës, sidomos në sëmundjet e zemrës.

“Studimi ynë nuk gjeti prova për një efekt mbrojtës në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, nga ndryshimi i dietës ushqimore”, ka rrëfyer Feng, epidemiolog në Departamentin e Shëndetit të Popullsisë, në Universitetin e Oksfordit.

Ndërsa studimi zbuloi se ngrënia e perimeve të pagatuara mund të mbrojë kundër sëmundjeve të zemrës, perimet e gatuara, nuk e kanë këtë efekt në organizëm. Kjo pasi, përfitimet që mund të sillte ngrënia e perimeve, zhbëheshin nga disa faktorë të ndryshëm si stili i jetesës, aktiviteti fizik, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, ngrënia e frutave etj.

Kritikët nuk bien dakord

Ekspertë të ndryshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përjashtuar veten nga ky studim.

“Megjithëse, ky studim zbuloi se ngrënia e më shumë perimeve nuk e ulte rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të qarkullimit të gjakut, pasi në analizë futej edhe mënyra e jetesës dhe faktorë të tjerë, kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalojmë së ngrëni perime”, kundërshton Victoria Taylor, dietologe në Fondacionin Britanik të Zemrës, në një deklaratë.

“Ka prova të forta që ngrënia e ushqimeve të pasura me fibra, si perimet, mund të ndihmojë në uljen e peshës dhe përmirësimin e niveleve të faktorëve të rrezikut të njohur që shkaktojnë sëmundjet e zemrës. Ky studim nuk mund t’i hedhë poshtë këto prova dhe përfundimet e tij duhen vënë në diskutim”, tha Naveed Sattar, profesor i mjekësisë kardiovaskulare në Universitetin e Glasgow në Skoci.

5 lugë gjelle në ditë me perime

Studimi, i cili ka shkaktuar jo pak zhurmë në mesin e nutricionistëve, ndoqi metodën e vëzhgimit të zgjatur në kohë, përkatësisht 10 vjet.

Rreth 400 mijë të rritur u pyetën në fillim të studimit se sa perime të gjalla dhe të gatuara hanin në përditshmërinë e tyre, dhe më pas u vëzhguan për më shumë se 10 vjet, sesi do të ishte ecuria e organizmit të tyre dhe raporti me sëmundjet e zemrës. Mesatarisht, ata raportuan se hanin 5 lugë gjelle perime çdo ditë, pra vetëm 71 gramë perime në total.

“Kjo është një sasi shumë e vogël, ndoshta edhe arsyeja pse studimi ka pasur ato rezultate”, tha dr. Andrew Freeman, nga Kolegji Amerikan i Kardiologjisë.

Udhëzimet dietike në Mbretërinë e Bashkuar kërkojnë të paktën pesë porcione frutash dhe perimesh në ditë, me çdo porcion rreth 80 gram në mënyrë që mbrojtja ndaj sëmundjeve të jetë efektive.